“Njerëzit janë ëndrra dhe kujtime,/ shihen dhe shkruhen në kohën e shkuar,/ Ditës, i bëhen muzgje dhe agime,/Ndërsa natës, diej të perënduar”.
Feti ZENELI

Sa nisesh nga qendra e Buzit për në Gllavë apo dhe më tej për në Berat, para se të vesh tek Qafa e Murrizit, në të djathtë është rruga që të çon në fshatin Selckë. Pasi ke kaluar Vidhin e Selckës e je në krye të malit të këtij fshati, një peizazh magjepsës shfaqet në territorin e këtij vendbanimi. Jo rastësisht Parlamenti shqiptar në vitin 1937, në kuadrin e zëvendësimit të toponimeve me origjinë të huaj, këtë fshat vendosi ta emërtonte me fjalën e bukur shqipe “Kopshtina”. Emri Selckë vjen nga sllavishtja “sello”(fshat, katund).47 Fshatra me këtë emër ka edhe në Gjirokastër e Vlorë. Në vitin 1938 Selcka ndahet në dy fshatra: Selckë e Madhe dhe Selckë e Vogël. Fshati mëmë do të vazhdonte të mbante këtë emër deri në vitet ‘70, ndërsa më pas do të quhej Selckë, sepse ishte qendra e pushtetit dhe ekonomisë së tre fshatrave. Selcka kufizohet me Buzin, Bardhaj, Komarin, Panaritin e Selckën e Vogël. Ka qenë gjithmonë fshat i krahinës së Buzit dhe pjesë e Njësisë Administrative Buz.
Rrënojat në qendër të fshatit e kudo ku ka gjurmë arkeologjike vërtetojnë se Selcka është një nga vendbanimet e hershme të krahinës. Janë gjetur varre të vjetër me pllaka të mëdha guri dhe qypa prej balte. Nga gërmimet e bëra është zbuluar një gur varri me mbishkrimin e emrit të një ushtari romak. Mbetet i paeksploruar një pus ku thuhej se hidheshin kufomat e vrara. Në lagjen Agaj ndodhet një çezmë e antikitetit të vonë. Vlera arkeologjike e arkitektonike paraqet dalja e ujit në Gigovë, te vendi midis malit të Selckës dhe atij të Panaritit. Atje buron mbi 150 litra ujë në sekondë, ndaj dhe në vitet ‘60 u ngrit hidrocentrali nga ku merrnin dritë elektrike dy Selckat dhe Panariti. Po aty kanë funksionuar 5 mullinj bloje, të quajtur “Mullinjtë e Shumtë”. Si rezultat i kapaciteteve të fuqishme të ujit në Gigovë, në vitet ‘80 u tentua që ai të shfrytëzohej si ujë i pijshëm për tërë zonën e Buzit. U hapën mijëra km kanale dhe u soll gjithë tubacioni i nevojshëm, por vepra e nisur mbeti një ëndërr e parealizuar. Bashkë me pasuritë ujore e shumë vlera të tjera jo vetëm Selcka, por tërë krahina e Buzit është harruar nga ana e qeveritarëve.
Në Selckë do të gjejmë objekte kulti të fesë kristiane. E tillë është kisha në lagjen Latifaj. Për hershmërinë e këtij besimi hedhin dritë edhe toponimet Kroi i Gjonit, Ara e Priftit etj. Në hapësirat e Selckës janë me dhjetëra emra vendesh. Disa i gjejmë edhe në poezinë “Kopshtina ime” të poetit Feti Zeneli, si: Qafa e Murrizit, Qafa e Vidhit, Qafa e Bravës, Përroi i Madh, Moçali, Çelësi i Veriut, Daullas, Mullinjtë e Shumtë, Zalli i Shurjes, Sterra e Felahut, Shullëri, Hambari, Shkoza e Ujit, Shkëmbi i Bletës, etj.
Si objekte kulti të fesë islame përmenden Xhamia në Shehaj, Teqeja e Baba Iliazit, mekami i Baba Xhaferit, Baba Hasanit, Lisi i Demirhanit, Tyrbeja ku shërbente Shyqyri Myrtaj, Baba Xhaferi, Dervish Myrtezai etj. Në majë të malit të këtij fshati ka qenë një vend pelegrinazhi fetar me emrin “Çukëza”. Dikur në Selckë kishte mulli me erë dhe një han nga ku kalonte rruga Këlcyrë, Kiçok, Selckë, Rehovë e Berat. Hani menaxhohej nga fisi Xhelilaj.
Sipas regjistrimeve të vitit 1945, po evidentojmë disa nga kryefamiliarët e fiseve kryesore të fshatit Selckë :
| Në Xhelilaj: Sulo, Mete, Arif, Demir, Ismail, Dilaver e Mane Xhelilaj.
Në Caushaj: Daut Mersin Caushaj, Jemin Dajlan Caushaj (1875), Meleq Caushi, Novruz Zeneli, Rexhep, Haki, Hysen e Rushan Caushi, etj. |
| Në Dervishaj: Hasan, Malo (1885), Sabri, Hysenj (1880), Njazi, Barjam, Teme e Refat Dervishaj etj. |
| Në Durmishaj: Adem, Myrto, Zeqo e Teme Durmishaj etj. |
| Në Latifaj: Mato e Hysen Latifi (1882), Muharrem, Latif dhe Hekuran Latifi, Hekuran Xhelo Kuka, Myrteza e Shyqyri Myrtaj etj. |
| Në Nuraj e Agaj: Sabri, Ahmet, Xhelo, Vero, Enver, Qani e Nuredin Nuraj, Gani, Xhelo, Feti, Qerim, Faslli, Shahin e Hasan Agaj, Ismail Agaraj etj. |
| Në Jahaj: Sadik e Xhevit Halim Jahaj (1912), Hamit Myslym Jahaj (1978, Teme Brahim Jahaj (1900) etj. |
| Në Shehaj: Xhevdet Barjam Shehaj, Arif Haxhi Shehaj, Avni, Qemal e Xhafer Shehaj etj. |
| Në fisin Malasi : Haxhi, Riza, Hydai, Novruz, Bedri e Pëllumb Malasi etj. |
| Në fisin Xhafaj : Jaup, Hate, Xhelal e Bekim Xhafaj |
| Në Metaj e Asllanaj : Xhafer, Jonuz, Hamit, Ramadan, Maliq e Qerim Metaj, Dilaver, Tafil e Saliko Asllanaj etj. |
Disa prej banorëve të fshatit mendohet të kenë ardhur nga Selcka e Gjirokastrës, të tjerë nga Shalësi, Hormova, Gllava etj. Lagjet kryesore janë: Caushaj, Dervishaj, Jahaj, Xhelilaj, Asllanaj, Nuraj, Agaraj, Agaj, Shehaj, Latifaj, Xhafaj etj.
Popullsia dhe territori i fshatit Selckë:
| Vitet | 1923 | 1928 | 1945 | 1969 | 1979 | 1989 | 1995 | 2001 | 2018 |
| Banorët | 193 | 231 | 295 | 270 | 250 | 410 | 376 | 96 | 80 |
| Familjet | 51 | 58 | 67 | 61 | 54 | 79 | 66 | 15 | 17 |
Në statistikat e vitit 1995, veç popullsisë me 376 banorë, për Selckën jepen edhe këto të dhëna : 264 ha tokë bujqësore, nga të cilat: 205 ha tokë arë, 25 ha drufrutorë; të tjerat tokë jobujqësore e truall. Emigracioni i viteve ‘30 edhe nga Selckat nuk ka munguar, por ai pas viteve ‘90 do të merrte përmasa të mëdha. Largimet u bënë të menjëhershme. Mbi 30 familje sot janë të vendosura në Tiranë, po kaq në Sarandë, Gjirokastër, Durrës e Vlorë, ndërsa jashtë vendit me dhjetëra banorë.
Si tërë krahina e Buzit edhe banorët e Selckës do të rreshtoheshin në vijën e parë të përpjekjeve për mbrojtjen e atdheut. Çaçan Selcka ishte komandant i trupave speciale në pashallëkun e Janinës. Ali pashë Tepelena, në urdhërin që i dërgonte Bako Zhapokikës, e udhëronte që fondet e mbledhura të jepeshin për të paguar shpenzimet e trupës së Çaçan Selckës për periudhën janar-qershor 1813. Dy herë është djegur Selcka nga pushtuesit. Në LANÇ morën pjesë mbi 15 partizanë. Këshillin Nacionalçlirimtar dhe çetën territoriale të fshatit i drejtuan Sabri Nuraj, Nexhip Isuf Brahimaj, Riza Memo Malaj, Xhevit Halim Jaho, Hysen Latifi etj. Në historikun e Selckës, që mban firmat e drejtuesve të fshatit Hekuran Kuka e Idajet Malasi dhe të ish mësuesit Kozma Qorri, gjejmë edhe të dhëna kontradiktore, të cilat u përkasin viteve që lamë pas. Një nga ngjarjet e LANÇ që lidhet me emrin e këtij fshati është mbledhja e Vidhit të Selckës. Atje u mblodhën përfaqësuesit e fshatrave të zonës për të kuvenduar lidhur me luftën kundër pushtuesve italianë. Kjo ngjarje, edhe pse tentoi të hynte në histori si vendi i përpjekjeve për bashkim, krahas debateve e polemikave të shumta, synoi të shmangte ndarjet mes forcave sipas përkatësive politike.
Për vite me radhë, organet e pushtetit e të ekonomisë në fshatin Selckë do të luanin një rol të rëndësishëm për zbatimin e ligjshmërisë, mbarvajtjes së punëve, zgjidhjes së kërkesave dhe ankesave të banorëve. Burrat e gratë që punuam me përkushtim në drejtim të bashkëqeverisjes dhe mirëkuptimit mes fiseve e njerëzve kanë qënë të shumtë, si: Sabri Ahmeti, Sinan Elmazi, Nure Brahimi, Xhelo Xhelili, Avni Shehu,Ydai Malasi, Hekuran Kukaj, Xhevit Halimi, Ismail e Agim Xhelili, Meleqe Shehu, Fatbardha Cenka, Xhafer Shehu, Hajdër Dyrmishi, Feti Zeneli, Muharrem Latifi, Ali Dervishi, Fatmira Xhelili, Dile Malasi, Zenepe Zaçaj, Kujtim e Nuredin Nuraj etj. Me të njëjtën përgjegjësi kanë punuar edhe Kryetarët e Këshillit të Bashkuar Selckë : Sabri Iliazi, Baftar Jahaj, Hasan Kapllani, Mystehak Cenka, Sadik Zaçaj e Bashkim Caushi.
Në Selckë lufta e klasave është zhvilluar e ashpër ndaj fisit Nuraj. Ajo arrin kulmin kur Sabri Nuro, ish kryetari i Këshillit Nacionalçlirimtar dhe kryetar i kooperativës bujqësore, dënohet me 8 vite burg për agjitacion e propagandë. Kanë marrë statusin e të dënuarit politik edhe Barjam Njazi Dervishi, Sabri Selfo Asllani etj. Në librin “Jetë e pajetuar”, autori Neim Pasha kur ishte në burgun e Burrelit do të shkruante: “Atje nuk isha i vetëm. Në krah kisha tepelenasin Barjam Dervishi nga Selcka. Barjami e kishte vitin e 25-të të vuajtjeve në burgje”.
Shkolla fillore në Selckë është hapur në vitin 1947 në shtëpinë e Daut Mersinit. Për fshatin Selckë e Madhe, mësues Kozma Qorri raportonte: “Në këtë fshat qysh në kohën e Perandorisë turke ishin të shkolluar Feti e Zenel Avdua, Qerim Ahmeti, Riza Haxhiu, etj. Shkolla në Selckën e Madhe hapet në vitin 1947 me mësues të parë Nase Guga(1947-1948) e më pas Hysmet Kadare, Janaq Bleca(1949-19590), Dhimitër Bici(1951-1954), Jani Turi(1954-1955) dhe Kozma Qorri në vitet 1956-1960”. Shkolla 8-vjeçare hapet më 1969 me rreth 26 nxënës, me drejtor Vasil Zhdavon. Për arritjet në fushën e arsimit në Selckë një kontribut të veçantë do të jepnin banorët arsimdashës dhe organet e pushtetit, por rezultatet e larta në këtë sektor i dedikohen edhe punës e përkushtimit të mësuesit pasionant, z. Agim Xhelili. Vlera në sektorin e arsimit do të shfaqnin edhe mësues të tjerë nga ky fshat, si: Xhafer Shehu, Teuta Latifi, Bashkim Caushi, Esat e Ajet Nura, Mystehak Cenka, Luljeta e Natasha Xhelili, Drita Asllani, Lulëzime Shehu, Arjan e Renata Zeneli etj. Mirënjohje e veçantë për mësuesit e drejtuesit e ardhur nga Gjirokastra, Saranda e fshatrat e krahinës Buz, si: Afrim Kërpi, Kozma Qorri, Vasil Zhdavo, Kristo Gjati, Vangjel Dhuli, Thoma Koça, Niko Kaçi, Spiro Lici, Kristo Pagjini, Spiro e Stavrulla Cinga, Llambi Çamati, Qamil Brahimi, Shefqet Bakiaj, Agim Memlika, etj.
Selcka pati fatin të ishte qendër administrative. E si e tillë ajo do të gëzonte edhe më shumë avantazhe se fshatrat e tjerë. I dhanë pamjen e një mjedisi të përparuar për kohën : shkolla 8-vjeçare, kopshti e çerdhja si dhe institucionet e tjera të administratës. Shteti ndërtoi edhe dy pallate për strehimin e kuadrove që vinin nga jashtë ekonomie, por ngritja e qendrës shëndetësore, pajisja e saj me bazën e nevojshme materiale dhe emërimi i një personeli mjekësor të kualifikuar e rritën edhe më ndjeshëm punën në shërbim të njerëzve. Pas vitit 1967 shërbimi shëndetësor në Selckë do të kishte përmirësime të dukshme. Kanë dhënë ndihmesën e tyre shumë punonjës : duke filluar me infermierin e parë Elez Shehu nga Tepelena e më pas Andrea Dako nga Gjirokastra, Qazime Meçaj, Fatmira Kalemi, Ganimete Pashaj, Fize Malkaj dhe nuset e fshatit Liljana Xhelili e Xhezmije Shehu. Pas vitit 1975 ky shërbim mori një shtrirje edhe më të gjerë. Qendra Shëndetësore Selckë, ku punoi e drejtoi për vite të tëra ndihmësmjeku i palodhuri Përparim Zaçe e për pak kohë mjekët Shahin Meçe, Zeno Jahaj, Sevo Miçi, Agron Velaj, etj., i ngjante një spitali të vogël, ku punonjësit që shërbyen aty i dhanë jetë këtij shërbimi për banorët e 4 fshatrave.
Në vitin 1957 u ngrit kooperativa bujqësore me kryetar dy djemtë e fshatit: Sabri Nuraj e Xhevit Jahaj. Më vonë kjo ekonomi u zgjerua me fshatrat Komar, Selckë e Vogël e Bardhaj. Kooperativën e bashkuar Selckë e kanë drejtuar: Laze Pasha, Sabri Iliazi, Sadik Kalemi, Eqerem Xhelili, Hasan Kapllani dhe Asqeri Nebiaj. Në arritjet e kësaj ekonomie kanë kontributet e tyre edhe kryeagronomët Tomas Tuholli nga Tirana e Hasan Kapllani, ekonomistët Thodhori Jorgji, Eqerem Xhelili, Feti Zeneli, Shipe Baze, Luan Bilbili, Hajder Dyrmishi, etj., veterinerët: Barjam Kërpi, Fejzo Selami, Përparim Aliaj, Et’hem Mema, Barjam Agaj, Riza Dyrmishi etj. Të gjithë nëpunësit që punuan në Selckë sollën ndryshime në jetën ekonomike, kulturore dhe intelektuale. Ekonomistët Eqerem Xhelili dhe Feti Zeneli, për vlerat dhe aftësitë e tyre si specialistë e drejtues të zotë, do të vlerësoheshin edhe me detyra të rëndësishme në shkallë rrethi e deri në Tiranë. I pari arriti deri nënkryetar komiteti e punonjës dikasteri, ndërsa Feti Zeneli drejtues i gazetës “Lajmëtari”, drejtor banke në Tepelenë e në Tiranë, etj. Edhe Tomorr Ruzhdi Shehu, për vitet kur banonte në vendlindje, do të manifestonte cilësitë e një specialisti të përgatitur, ndërsa sot në qytetin e Gjirokastrës, krahas aktivitetit privat, kryen me përkushtim edhe detyrën e kryetarit të degës së shoqatës “Tafil Buzi”.
Me dhjetëra specialistë me arsim të mesëm e të lartë kanë dalë nga Selcka, të cilët kanë kontribuar në të gjithë sektorët e ekonomisë. Në radhët e ushtrisë e policisë do të kryesonte biri i Selckës, Hekuran Latifi. Të motivuar në këto detyra kanë qënë edhe Agron Latifi, Ismail Agaraj, Astrit Xhelili, Fatos Dyrmishi, Fatos Shehu, Hate Xhafaj etj. Në sektorin e shëndetësisë emër të mirë kanë fituar Shefqet e Sokol Latifi, Lulëzime Xhelili etj. Edhe në sektorin elektrik Selcka do të mburrej me dy djemtë e saj. I pari që mori përsipër mbarëvajtjen e punëve në HEC-in e Selckës ishte përgjegjësi i këtij sektori, Gëzim Dyrmishi e më pas elektricisti, Xhelal Xhafaj.
Njerëzit e kësaj treve kanë kontribuar maksimalisht për mbrojtjen e atdheut dhe gjallërimin e jetës në krahinë. Shumë prej tyre janë shpërndarë brenda e jashtë vendit. Disa i kemi përmendur në radhët e këtij libri, të tjerë do të zënë vend në shkrime e libra që vitet që do sjellin. Historiku i fshatit Selckë një ditë do të marrë formë të plotë kur të shkruhet nga bijë e këtij fshati, por për sa sipër falenderojmë z.Xhafer Shehu, Agim Xhelili, Latif Latifi, Lenin Jahon, etj., që kontribuan me mendimet e tyre.
