“Buzë lumit Luftinjë një fshat i bukur shtrihet,/ i cili ngjan me një qytezë gjithë vlera,/Si një rrap madhështor Rrapaj  ngrihet,/ shekullor do të ai mbetet përhera!”

Nxënësit e shkollës “Tefik Hazbiu” Luftinjë

 

Eshtë një fshat relativisht i ri, krijuar me Dekret Nr. 7027, dt. 15. 2. 1986. Ishin lagjet Canaj, Likaj, Danaj e Rrapaj që i dhanë formë këtij vendbanimi. Kanë ardhur aty familje edhe nga Zikaj, Zekaj e Malkaj të Luftinjës së Sipërme e deri nga Gllava e Vogël e Rabia. Mori emrin Rrapaj, sepse u vendos në territoret e lagjes me të njëjtin emër. Për prejardhjen e këtij toponimi, ata që kanë ndikuar më shumë duket sikur janë rrepet e Pellgut Luftinjë. Por etimologjia duhet kërkuar edhe tek emri Rrapo. Hoxhë Rrapua, i pari i fisit Rrapaj, ka shërbyer si taksambledhës i Pashallëkut të Janinës për zonat Përmet, Këlcyrë, Ballaban e krahinat rreth tyre. Emri e bëmat e tij duhet të kenë ndikuar që kjo lagje të quhej Rrapaj.

Fshati Rrapaj ngjan me një qytezë të vogël. Kur je duke udhëtuar për në Izvor, në të majtë të kësaj rruge, atje kur dikur ka qenë Sektori “Danaj “ i minierës së qymyrgurit ndodhet fshati në fjalë. Ai mori jetë rreth viteve ‘80, kur shumë ndërtesa të lagjeve Danaj e Canaj u bënë të pabanueshme për shkak të zgjerimit të minierës. Ishte shteti që ndërtoi disa apartamente dykatëshe për strehimin e këtyre banorëve. Me kalimin e viteve, ndërtimet u shtuan e u zgjeruan dhe sot mund të thuhet se Rrapaj mbetet një nga  fshatrat më të bukur të Luginës Luftinjë. Ai kufizohet me dy Luftinjat, me Izvorin, Badrën, Buzin dhe Zhapokikat.

Edhe pse elemente të veçantë të këtij vendbanimi janë përfshirë në historikët e fshatrave Zhapokikë e Luftinjë, kemi menduar të evidentojmë disa nga të dhëna më kryesore të këtij fshati. Në vitin 1986 në Rrapaj banonin 76 familje me 459 banorë, në vitin 1995 rreth 82 familje me 390 banorë, ndërsa nga regjistrimi i përgjithshëm prill 2001 rezultojnë këto të dhëna: numri i ndërtesave 62, i banesave 90, i familjeve 65 dhe i banorëve 300(137 meshkuj dhe 163). Gjithsej ka 268 ha tokë bujqësore, nga të cilat: 83 ha tokë arë, mbi 25 ha drufrutorë dhe pjesa tjetër tokë jobujqësore e truall. Në territorin e këtij fshati është ngritur shkolla 9-vjeçare (shpërngulur nga fshati Luftinjë). Ka kopsht fëmijësh dhe qendër shëndetësore, në të cilën për një periudhë të gjatë do të kontribuonin çifti model i këtij shërbimi, Veli e Resmie Danaj.

Kur flasim për ngjarjet historike të Pellgut Luftinjë, në përballjet me pushtuesit e shumtë dallohen edhe burrat patriotë e trima të lagjeve të fshatit Rrapaj. Nga 35 partizanë të Luftinjës, 13 ishin nga Danaj, Canaj e Rrapaj. Tre prej tyre, Qemal Besim Rrapaj, Resmi Qamil Canaj dhe Islam Xhemal Caushaj janë Dëshmorë të Atdheut.

Në lagjen Rrapaj kemi 6 fise kryesore, 4 autoktonë dhe dy të ardhur. Nga familjet autoktone përmendet: Elmaz Banushi, Hekuran Rushani, Refat Shahini, Qani e Bilbil Jakupi etj. Më konkretisht: Fisin e Elmaz Banushit e përbëjnë familjet e Seferit, Syrjanit, Hajriut e Banush Rrapajt. Tek Hekuran Rushani kemi familjet e Shyqyriut, Hasanit e Agronit. Refat Shahini kishte dy djem : Shahinin dhe Qaniun. Tek Shahini janë familjet e Krenar e Admir Rrapaj, ndërsa tek Qaniu familjet e Agimit, Ferrikut, Xhevdetit e Bujarit. Familja e  Abedinit ka Bilbilin, Sokolin e Bekimin. Gjithashtu në lagjen e hershme Rapaj kemi Hamit e Jonuz Mustafa Rrapaj dhe Besim Muke Rapaj. Fisi i Riza Rrapaj e ka orgjinën nga Shehajt e Gllavës. Familjet kryesore të këtij fisi janë: Enveri, Idajeti, Mystahaku e Astrit Rrapaj. Fisi i Zaim Rrapajt përbëhet nga familjet e Adil e Sulo Rrapaj.Fiset e Islam Caushit dhe Xhafer Rrapajt janë me orgjinë nga Koshtani. Familja e Xhafer Xhemalit përbëhet nga pesë kurorë: Estref, Telo, Bashkim, Nasuhi e Zyber Rrapaj, kurse ajo e Brahim Caushit nga Babushi, Eltoni e Pëllumb Caushi. Dikur lagjja Danaj ka qenë pjesë e fshatit Zhapokikë, por pas viteve “60 i bashkohet Luftinjës. Danaj është një fis i madh, por tek ata të fshatit Rrapaj veçojmë familjet  e Selmanit, Isufit, Ganiut, Veliut e Qazimit. Nga dera e Selman Danës kanë dalë familjet e Agimit, Kastriotit e Luan Danës.

Në lagjen Canaj kemi këto familje kryesore: a) Abaz Canaj (Muhamet, Medin, Barjam e Pëllumb), b) Xhemil Canaj (Syrja, Petrit, Lulo, Bashkim), c) Hysni e Sinan Canaj (Adem, Teme), ç) Xhevit Canaj ( Mehmet, Gëzim, Dylo, Luan e Muzo), d) Xhevdet Canaj (Resmi e Rezir) dhe familjet e Qemal, Jonuz e Muharrem Canaj.

Para se të mbërrish në Rrapaj, në të djathtë të xhades për në Izvor, në krah të Përroit të Kuq ndodhet lagjia Likaj. Shumica e njerëzve që donim të shkonim në qendër të Buzit, për t’i rënë më shkurt, kalonim mes shtëpive të lagjeve Likaj e Revisht. Likaj fillimisht do të kishte 4 familje. Në vitet ‘80 arrin në 28 familje me 170 banorë. Sot ky vendbanim përcjell vetëm keqardhje e dëshpërim, sepse ka  mbetur pa asnjë banor. Fiset kryesore të kësaj lagje ishin: Likaj, Malkaj e Maliqi. Krahas fisit Likaj janë edhe familjet e Izet, Pelivan, Xhafer, Kamber e Gani Malkaj, ndërsa në fisin Maliqi familjet e Gani, Xhemal e Ylli Maliqit. Shumica e familjeve në Likaj janë marrë me bujqësi, të drejtuar prej shumë vitesh nga Ylli Maliqi, ndërsa në minierë ishin : Muharrem, Bashkim e Novruz Likaj, Qerim Malkaj etj. Dikur kjo lagje shfaqej e bukur jo vetëm me “Lisat e Mirë” e gjithë territori me pemë e ara pjellore, por edhe me njerëzit e saj punëtorë e mikpritës. Sot, thotë Bashkim Likaj, djemtë që u lindën e u rritën në këtë territor po tregojnë vlera brenda e jashtë vendit. Ata edhe në ekonominë e egër të tregut po shfaqin zotësi. Të tillë ka në Ksamil si Faik Malkaj e Qamil Likaj, ndërsa në Durrës djemtë e Izet Malkës, të cilët me aktivitetet e tyre tregtare kanë rritur e forcuar mirëqenien ekonomike.

Mësuesi i parë në Rrapaj është Estref Rrapaj. Ai pas përfundimit të studimeve të larta do të emërohej në rrethin e Beratit. Puna dhe vlerat e familjes së Estrefit nga qytetarët beratas janë vlerësuar në vazhdimësi. Çiftit Rrapaj iu besuan detyra të rëndësishme, ndërsa  vajza e tyre, Anila Rrapa ( Agalliu), në vitet 2013-2017 do të zgjidhej deputete në Kuvendin e Shqipërisë. Infermierja e parë në Rrapaj ka qenë Zengjine Rrapaj( Kapaj), ndërsa nëpunësa shteti nga ky komunitet ishin Isuf, Gani, Veli, Resmie e Luan Danaj, Xhevdet, Bashkim, Mehmet, Krenar, Telo e Rrapo Rrapaj, Medin Canaj etj. Një pjesë e tyre arritën të punonin deri në organet kryesore të pushtetit Tepelenë. Sot janë me dhjetëra djem e vajza nga ky fshat që punojnë brenda e jashatë vendit. Një pjesa më e madhe e tyre kanë përfunduar studimet e larta, si : Fatjon Syrja Cana, Aneta e Arlinda Veli Danaj, fëmijët e Murat Duraj, të Adil, Mystehak e Astrit Rrapaj, të Fatmir Zekës, djali i Ganiut e i Medinit, nusja e djali i Bashkimit Canës, Rapo Rrapa me të shoqen etj.

Fshatin Rrapaj e kanë zbukuruar shkolla e re, kopshti, qendra shëndetësore, shtëpitë gjithë rregull e pastërti, lokalet e Mystehak Rrapaj e Fatmir Zekës dhe jeta plot optimizëm e banorëve, të cilët ndryshe nga të tjerët nuk i braktisën trojet e tyre. Vreshtat, parcelat e mbjella e prodhimet bujqësore zënë një vend të dukshëm edhe në tregun e dy qyteteve. Qytetarët e Tepelenës mezi presin gjatë verës perimet cilësore të Xhevair Rrapajt e të fermerëve të tjerë të kësaj zone. Ky fshat, me vendosje e planimetri të kohës, me njerëzit punëtorë e mikpritës mbetet një nga vendbanimet e rëndësishme të Njësisë Administrative Luftinjë, Bashkia Memaliaj

Shkolla “Tefik Hazbiu” pas vitit 1993 do të ndryshonte vendndodhjen. Zhvendoset nga lagjja Didaj për në Rrapaj. Fillimisht si ambiente shkollore u përshtat godina e ish minierës së qymyrgurit, ndërsa në vitet 2015 u ndërtua godina e re. Për periudhën 1990-2000 këtë shkollën e vijuan 1713 nxënës, mesatarisht 170 nxënës për çdo vit, kurse në vitin 2018 numri i tyre nuk e kaloi shifrën 40. Nga bankat e kësaj shkolle kanë dalë inxhinierë, ekonomistë, agronom, mësues e infermierë. Edhe gjatë viteve të kooperativës bujqësore banorët e kësaj hapësire janë treguar punëtorë të palodhur dhe drejtues të aftë të organeve të pushtetit dhe të ekonomisë. Të tillë ishin Shyqo,Adil e Telo Rrapaj, Kastriot e Veli Danaj, Neki, Mystahak e Bilbil Rrapaj, Medin, Bashkim e Syrja Canaj, Ylli Maliqi etj. Në radhët e këtij libri duhet të sillnim edhe më shumë personalitete nga radhët e burrave e grave të nderuara, por në pamundësi dy fjalë ia kemi kushtuar “rrapit shekullor” të këtij fshati, 114 vjeçares, të paharruarës Mineko Rrapa. Minekua u lind në vitin 1906 në fshatin Arrëz. Babai e la 6-muajshe e nëna 5-vjeçe. Edhe pse u rrit jetime, klima e uji i Arrzës do ta bënin të fortë. Banonte në shtëpinë e motrës, kur e kërkuan për ta martuar me Riza Rrapajn nga Luftinja. Ishte e vogël kur nisi Lufta e Parë Botërore, ndërsa ajo e dyta do ta gjente me fëmijë. E kam takuar disa herë këtë plakë dinjitoze, gjatë viteve 1997-2005, kur isha mësues në Rrapaj. E thatë, por e thantë e me një kujtesë për t’u admiruar. Ajo jetoi kohën e saj, mes vuajtjeve e vështirësive arriti të thyejë rekorde botërore. Jetëgjatësia e asaj gruaje nuk ishte një rastësi. Vajza e Trebeshinës konkuroi denjësisht edhe me rrepet shekullorë buzë lumit Luftinjë. Për historikun e fshatit Rrapaj ndihmuan Medin Cana, Adil, Mystehak e Rrapo Rrapa etj.