“Aty ku prehen eshtrat e të parëve, ku janë rritur burra trima e atdhetarë, ku janë thurur këngë, ndezur e shuar jetë e dashuri e ku jehona e traditës ka ngelur e pashuar… aty është Komari, vendlindja dhe strehëza jonë e dashur.”
Asim BRAHIMI

Duke udhëtuar në rrugën mbi 100-vjeçare Këlcyrë-Berat, pasi lë qendrën e Buzit, Çukën e Bukur, Qafën e Murrizit dhe mbërrin tek Varret e Belicës (sot Bardhaj), atje ku shikimi dhe fushëpamja merr një shtrirje të gjerë dhe mbresëlënëse shtrihet Komari, me gjerësi gjeografike veriore 40° e 33’. Ai gjithmonë ka qenë pjesë e lokalitetit apo komunës Buz, ndërsa sot pjesë e Njësisë Administrative Buz, Bashkia Memaliaj, Nënprefektura Tepelenë. Ky vendbanim i hershëm, përballë malit me të njëjtin emër, fillimisht është quajtur Gurraz. Sllavët i dhanë trajtën “Komar ose vend me Gurë”. Edhe pse Parlamenti shqiptar në vitin 1937 vendosi të marrë emrin e bukur shqip “Kodrina”, ai vazhdoi të quhet “Komar”. Nga gërmimet e bëra te Varret e Sinos, te hijet e Komarit e tek arat e Ademit janë gjetur qypa e qeramika. Në mes të korijes ka themele ndërtimesh e varrezash të vjetra. Pothuajse në çdo lagje ka pasur objekte kulti të besimit të krishterë. Të tilla janë kisha përballë lagjes Haxhiaj, kisha midis Haxhiajt e Lilajt, kisha në Çunaj, kisha e Lazes apo emërtimet Shën Lazri etj. “Dikur, kujton intelektuali i këtij fshati z. Shefqet Bakiaj, në fshatin tim festohej Shën Gjergji, ndërsa mbetje ndërtimesh të gjetura, copa qeramike, themele objektesh, varre të vjetër etj. tregojnë se besimi i të parëve tanë ka qenë ai i krishterë”.
Në Komar gjendet edhe një numër i madh vendesh të shenjta të besimit mysliman. Vendin kryesor e zë Teqeja e Baba Islamit ngritur në vitin 1903, Baba Xhelos, Baba Reshatit në qendër të fshatit, Mekamet në Haxhiaj, në majë të malit, si dhe vendet e shenjta: “Lisi i Hasanit”, “Çuka e Panaritit”, “Çuka e Komarit”, “Guri i Gjatë”, etj. tregojnë se feja bektashiane mbetet besimi kryesor.32 Nga tërë objektet e kultit, Tyrbeja ku prehen eshtrat e Baba Islamit, Baba Xhelos dhe Baba Reshatit cilësohet si më e rëndësishmja. Nga Komari është edhe kleriku Baba Abedin Agaj, i cili për një kohë të gjatë shërbeu në institucionet fetare të Vlorës, Koshtanit dhe Gjirokastrës.
Fshati Komar është i hershëm, por kërkimet arkeologjike kanë munguar. Shumë çështje kanë nevojë për studime të mirëfillta. Nuk është vetëm mali e origjina e fiseve, por edhe Shpella e Tanës në lagjen Cunaj, varret e të krishterëve në mes të korijes, etj. Në këtë territor kanë jetuar banorët e lagjeve të vjetra të Arzimesë, Xhamisë ose Hançes, Muraj, Lilaj, Tarashahaj, Rrokaj ose Osmanaj, Minaj ose Lilajt e përtejme, Llanaj, Bregu i Shabanit, Çunajt, Bajamet e Manes, Haxhiajt etj. Me kalimin e viteve kanë mbijetuan vetëm shtatë lagje. Disa nga fiset kryesore të këtyre lagjeve janë:
| Lagjja Lilaj : Fisin Agaj( Razmi, Abedin, Sheme e Ago Agaj), fisi tjetër Agaj(Ydai, Njazi e Bilal Aga), fisi Taraj(Ismail, Adem e Xhelil Taraj dhe fisi Xhafaj (Refat, Jonuz, Xhafer e Hajdër Xhafa).
|
| Lagjja Tarashahaj: Fisi Bejkaj (Malo, Sadedin, Zenel, Asllan e Bektash Bejko), Fisi Brahimaj (Teme, Gani, Adem e Cene Brahimi), Fisi Kapllanaj (Faslli, Hamza e Qemal Kapllani dhe Zete Shahaj), Fisi Pashaj (Taip, Laze e Neki Pasha); |
| Lagjja Osmanaj : Faik, Nuredin, Asllan, Bektash, Sinan, Zylo e Muço Allkushi); |
| Lagjja Minaj: Fisi Myrtaj (Dalip e Reshat Myrto), Fisi Taraj (Muharrem, Adem e Sulejman Taraj); |
| Lagjja Llanaj: në Isufaj (Shaho, Nexhip, Demir, Abedin e Teme Isufi), në Nuhaj (Hekuran, Xhevit, Halil Xhevit Lala Nuhaj); |
| Lagjja Çunaj : Fisi Pashaj (Feti, Kaso, Zenjel, Rrapo, Pasho e Zaim Pasha, Sefedin Caushi) dhe fisi Ahmetaj (Kaso,Ceno, Haki e Ismail Ahmeti).
|
| Lagjja Haxhiaj : Fisi Bakiaj (Taip, Gani, Avdulla, Xhafer, Hodo, Haki e Zaim Bakia), Fisi Malaj (Zaim, Veli, Sulo e Meçan Mala), Fisi Agaj (Barjam, Agush e Avni Aga) |
Mbështetur në hartën kadastrale të rrethit, fshati kap një sipërfaqe prej 930 ha. Nga 234 ha tokë bujqësore, 213 ha është tokë arë, 21 ha pemëtari dhe pjesa tjetër pyje. Në trojet e këtij fshati kanë jetuar rreth 52 fise, kurse popullsia nga njëri vit në tjetrin ka ardhur në rritje. Duke ndjekur të dhënat statistikore rezulton se:
| Vitet | 1923 | 1927 | 1945 | 1969 | 1979 | 1989 | 1995 | 2001 | 2018 |
| Banorët | 249 | 252 | 297 | 340 | 392 | 398 | 291 | 141 | 47 |
| Familjet | 53 | 58 | 61 | 67 | 72 | 75 | 53 | 26 | 15 |
Nga pasqyra duket sikurt ritmet e rritjes së numrit të popullsisë në Komar janë të vogla, ndërsa mesatarja për periudhën 1912 -1970 shkon deri në 320 banorë. Të mos harrojmë se po kaq banorë janë larguar në fshatra e qytete të ndryshme të vendit.
Kanë emigruar në Amerikë: Malo Bejko, Xhelal Bakiaj e Novruz Ismail Taraj, ndërsa fati i vëllezërve Tefik e Riza Agaj ishte i rëndë, sepse në vitin 1915 ata do të vdisnin në Amerikë. Një pjesë tjetër ka emigruar në Greqi si: Tafil Velikua, Ismail Hatja me të vëllezërit, Myftar Rremkë Brahimi, Maliq Selfo Myrtaj etj. Shpërngulja e familjeve të fshatit Komar ka qenë e madhe. Largime të tilla kanë filluar me tre vëllezërit e Malo Bejkos që u vendosën në Velabisht të Beratit, e më pas me fisin e Feti Qamilit vendosur në Shijak të Durrësit, i Filo Ahmetit në Hekal të Mallakastës, si dhe në Elbasan, Tiranë, Poliçan, Berat, Tepelenë e Memaliaj. Shpërnguljet më të mëdha nga fshati ndodhën pas viteve ‘90. Mbi 98% e popullsisë së Komarit është larguar brenda e jashtë vendit. Nga 259 familje të larguara: në Tiranë janë vendosur mbi 91 familje, në Berat 45, në Fier 33, në Durrës 28, në Qarkun e Gjirokastrës 27, në Sarandë 25, në Elbasan 13 familje etj.
Në të gjitha ngjarjet historike banorët e Komarit kanë treguar vlera atdhetarie, por përballjet e shumta me pushtuesin kanë sjellë pasoja të rënda. Disa herë fshati është djegur, plaçkitur e masakruar. Lufta, uria, skamja e sëmundjet kanë marrë dhjetëra jetë njerëzish. Gjatë LANÇ në komandën e vendit ishin Barjam Agaj, Bektash Allkushi, Hamza Kapllani e Meçan Malaj, ndërsa në Këshillin Nacionalçlirimtar ishin Ismail Taraj kryetar, Hekuran Nuhaj sekretar dhe anëtarë Isa Allkushaj, Malo Bejkaj e Sulo Taraj. Në vitin 1945 në kye të pushtetit u zgjodhë Meçan Malaj. Pas tij Hasan Taraj, Asllan Bejkaj, Razmi Agaj, Haki Ahmetaj etj. Qeverisja në të gjitha kohërat do të evidentonte emra të njohur, si: Lalo Velikua, Lulo Sadiku, Duro Myrto, Muharrem Allkushi, Qamil Asim Brahimi, Ismail Hatja, Taip Pashaj, Sulo Minua etj. Në vitet pas çlirimit të vendit e në vazhdim, kryetarë pushteti kanë qenë: Demir Isufi, Barjam e Hasan Taraj, Adem Brahimi, Maliq Pashaj, Agush e Adem Agaj, Xhafer Xhafaj, Dine e Myftar Brahimaj, Maliq Myrtaj, Hysen Allkushi, etj.
Gjatë LANÇ nga ky fshat kanë dalë 16 partizanë: Adem Brahimi, Agush, Bilal e Njazi Agaj, Haki Ahmetaj, Mystehak, Ymer e Zaim Pashaj, Haxhi Isufi, Muhamet e Novruz Taraj, Jonuz Xhafaj etj. Dhanë jetën për lirinë e atdheut pesë vetë. Me vendim të Këshillit Popullor të rrethit Tepelenë nr. 66, dt. 3. 10. 1992, nga fshati Komar janë shpallur dëshmorë të atdheut: Brahim Bakiaj, Demo Agaj, Dino Bakiajd, Kanan Bakiaj e Qerime Agaj, ndërsa me vendim të Këshillit të Ministrave Dëshmor i Atdheut është shpallur edhe Tafil Njazi Aga.
Edhe në Komar janë bërë diferencime politike, ku si të dënuar politikë rezultojnë: Novruz Isamail Taraj dhe Bektash Selfo Bega. Ky i fundit me vendim nr. 9, dt. 5. 05. 1994 ka marrë statusin e të dënuarit politik .
Dashuria për kulturë dhe dije ka karakterizuar çdo derë e fis në Komar. Evidentohen mbi 850 vetë që kanë marrë arsim të lartë e të mesëm. Falë këtij arsimimi mbi 16 djem nga ky fshat kanë shërbyer në radhët e ushtrisë e policisë së shtetit, si: Haxhi Isufi, Muhamet Taraj, Xhemali e Syrie Kapllani, Tafil Agaj, Kujtim Shahaj, Myrteza Agaj, Abaz Bakiaj, Ferit Isufi etj. Gjithashtu, mbi 34 specialistë të lartë e të mesëm kanë kontribuar për zhvillimin dhe konsolidimin e treguesve bujqësorë e blegtoralë, mbi 30 të tjerë në sektorin e arsimit, 20 në shëndetësi, si dhe mbi 45 inxhinierë, juristë e ekonomistë. Kur flasim për arsimimin e komarakëve, nuk duhen harruar kontributet e dhëna nga Baba Xhelua, Ismail Hatja, Shaho Isufaj, Meçan Malaj etj. Ata bënë të gjitha përpjekjet për shkollimin e brezit të ri, duke siguruar sa më shumë të drejta studimi për bashkëfshatarët e tyre.
Shkolla fillore në Komar hapet në vitin 1950 me mësues të parë Eqerem Maluka nga Kolonja dhe më pas mësuesit Anastas Anastasi, Ahmet Babameto, Barjam Bajo, Bektash Zite, Ibrush Malo, Anastas Kapurani, Ilia Basho, Avni Lako, Vasil Paguna, Avni Cani etj. Gjithashtu, në Komar kanë dhënë mësim edhe mësuesit e fshatit e të zonës si: Bedri Dauti, Naxhie Malasi, Engjullushe Isufi, Ferrik Caushi, Sanie Brahimi, Bashkim Caushi, Bedri Serjani, Agim Memlikaj, Myrteza Shehu, Nexhmie Agaj, Bajame Kapllani, Mjaftuni Agaj, Xhevdet Pashaj, Maliq e Naim Myrtaj etj. Nxënësit e Komarit arsimin 7- 8 e 9-vjecar e kanë ndjekur në shkollën e Gllavës.
Djemtë e vajzat e Komarit e kanë dashur arsimin e kulturën, por ata që ndriçuan e i dhanë shkëlqim rrugëtimit drejt dijes do të ishin: Haxhi e Asim Brahimi dhe Sadik Bejko, të cilët jo vetëm përfunduan universitetin, por falë përgatitjes së tyre u bënë nxitje e frymizim edhe për të tjerët. Këta, nënvizohet në librin “Komari në rrjedhë të viteve”, do të ishin lajmëtarët e parë për intelektualët e ardhshëm, si : Ferrik Caushi, Hasan Kapllani, Tafil Agaj, Qamil e Abaz Brahima, Shefqet Bakiaj, Xhevdet Pashaj, Maliq Myrtaj, Novruz Ahmetaj etj.
Në sektorin e mjekësisë nga ky fshat kanë dalë mjekët Abaz Brahimi e nipi i tij Arenc Brahimi, si dhe dhjetëra mami-infermiere. Abazi, një prej drejtuesve më të suksesshëm të spitalit të Buzit, me punën e tij plot pasion për shumë vite u shërbeu me përkushtim gjithë banorëve të krahinës. E njëjta gjë duhet thënë edhe për punonjëset e shëndetësisë së këtij fshati: Lumturi Pasha, Ramize Bakiaj, Nazmie Xhafaj, Kismete Agaj, Lavdie Kapllani, Alketa e Krenar Brahimi etj.
Në vitin 1957 u krijua kooperativa bujqësore me kryetar Meçan Malaj. Në tërë periudhën 33 vjeçare, puna vetmohuese e burrave dhe e grave të Komarit ka qenë për t’u admiruar e vlerësuar. Familjet e këtij fshati, krahas bujqësisë, kanë qenë të lidhura edhe me Minierën e qymyrgurit Memaliaj. Rreth 30 burra punuan për vite me radhë në thellësitë e nëntokës, si: Ago, Ydai, Adem, Barjam, Flamur e Enver Agaj, Selfo Bejkaj, Servet Isufaj, Hiqmet e Bashkim Bakiaj, Muharrem, Kujtim, Namik, Brahim e Ramiz Allkushaj, Muharrem Brahimaj, Lutfi Pashaj, Refat, Medin, Hasan e Hajri Xhafaj, Myftar, Barjam, Novruz e Bilbil Nuhaj, Ali e Xhevair Caushi, Bashkim Ahmetaj etj. Grupin e minatorëve të Komarit e zbukuronte dhe e motivonte jo vetëm dhënia e titullit “Heroi i Punës Socialiste” Ali Sefedin Caushit, por edhe qëndresa dinjitoze në thellësitë e galerive për 6 vjet rrjesht e poetit dhe intelektualit të shquar Sadik Bejko.
Komari ndihet krenar për vlerat e Ismail Hates, Shaho Nexhipit, Faslli Myrtos, Feti Qamilit, Ceno Ahmetit, Adem Qamilit, Jonuz Xhafajt, Malo Bejkos, Tafil Velikos, Xhelil Bakiaj, Veli Malajt, Hekuran Barjamit, Taip e Rrapo Pashës etj. Të tjerë, me punën e përkushtimin e tyre, duke u shërbyer me dinjitet njerërzve arritën të radhiten në krah të personaliteteve më të njohura të krahinës, rrethit dhe më gjerë.
1.Meçan Malaj: Ishte një ndër drejtuesit e palodhur të administratës shtetërore në vitet e pas çlirimit. Ai ka kryer detyrën e kryetarit e sekretarit të lokalitetit Rehovë e Buz, të kryetarit koopperativës Komar e Selckë, etj. Eshtë shpallur “Qytetar Nderi” në Poliçan.
2.Haxhi Isufaj: Partizan i Brigadës VIII Sulmuese, ka mbaruar Akademinë ushtarake në Leningrad, dega topografi e artileri. Me gradën “Major” ka kryer detyra të ndryshme në ushtri.
3.Muhamet Taraj: Ka studiuar në ish-Bashkimin Sovjetik. Si një ndër ushtarakët e përgatitur punoi pa u lodhur në sektorin e tankeve.
4.Sadik Bejko: deputeti i Kuvendit të Shqipërisë dhe një ndër shkrimtarët e shquar të letërsisë shqiptare, pjesën më të madhe të jetës ia kushtoi arsimit. E filloi detyrën e nderuar të mësuesit në Izvor e Berat, vazhdoi pedagog në universitetet Gjirokastër e Tiranë. Mban titullin “Mësues i merituar”.
5.Haxhi Brahimi: i pari inxhinier mekanik në krahinë e në rreth. Ka shërbeyer me devotshmëri në shumë qendra industriale të atdheut, si në Fushë Arrëz, Pukë, Fier, Tiranë etj. Në të gjitha detyrat e ngarkuara e karakterizoi korrektësia, shpirti i garës dhe aftësia në krye të punëve.
6.Asim Brahimi: Pas përfundimit të Universutetit të Tiranës , dega gjuhë – letërsi, gjithë jetën ia kushtoi arsimit. Ka kryer një sërë detyrash të rëndësishme, si: drejtor shkolle, drejtori i parë i kabinetit pedagogjik të rrethit, inspektor në Drejtorinë Arsimore, drejtues e mësues i përkushtuar në Tepelenë e Tiranë.
7.Ferrik Caushi: Vitet e para punoi mësues në Komar e Gllavë. Me pas ka punuar në organet e Ministrisë së punëve të Brendshme, kryesisht në sektorin e burimeve njerëzore.
8.Engjëllushe Isufi: Eshtë ndër mësueset e para të krahinës Buz, ku dha ndihmesën e saj në shkollën e fshatit e më pas në Tiranë. Ajo shkëlqeu, në misionin e saj si mësuese e drejtuese shkolle, duke mbetur kështu një nga edukatoret e denja për brezit të ri.
9.Hasan Kapllani: Eshtë një ndër agronomët e parë të krahinës. Ka kryer detyrën e agronomit e kryeagronomit, të Kryetarit të këshillit të Bashkuar e të kryetarit të kooperativës bujqësore Selckë. Vlerësohet si një ndër specialistët e përkushtuar të bujqësisë jo vetëm dje, por edhe sot. Kur të tjerët i kanë kthyer shpinën sektorit të bujqësisë në përgjithësi e fshatit në veçanti, ai në Komar po rikthen traditën e arritjeve në frutikulturë.
10.Laze Pasha: Një nga drejtuesit e hershëm të lokalitetit Buz, të kooperativave bujqësore Selckë dhe Buz.
11.Asllan Tafil Ahmetaj : ka kryer detyra të rëndësishme si kryetar i këshillit të bashkuar Hekal dhe drejtues ndërmarrjesh në Fier.
- Shefqet Bakiaj: Diplomuar për matematikë-fizikë. Krahas detyrës së mësuesit në krahinë, Tepelenë e Berat ka qenë i zgjedhur edhe në organet e pushtetit. Ka vite që është vendosur me familje në Tiranë, ku me bashkëshorten e tij Hanëme Dervishi, punojnë në një zyrë avokatie .
13.Maliq Myrtaj: Krahas detyrës së mësuesit, zgjedhësit i besuan edhe postin e kryetarit të komunës Buz. Aktualisht inspektor arsimi në Qarkun e Tiranës.
- Riza Pasha: Njëri nga njerëzit me vlera jo vetëm në fshat, por dhe më gjerë. Gjithmonë i angazhuar për mbarëvajtjen e punëve. Edhe si kryetar i degës “Tafil Buzi” në Ksamil gëzoi respekt e mirënjohje jo vetëm nga buzjotët e vendosur në këtë qendër të bukur turistike, por edhe nga një komunitetet më i gjerë.
Nuk do të ishte e plotë ekspozeja për fshatin Komar po të vazhdonim vetëm me shpalosjen e vlerave të përfaqësuesve të brezit të vjetër. Fuqia shpërthyese e brezit të ri, që po marshon pa droje e frikë si dikur etërit e tyre, është e mbetet shpresa më e madhe për një të ardhme më të mirë. Ata janë shumë. Po të shkruanim për Novruz Ahmetin, i cili po i ngjit me zotësi shkallët e karrierës së tij deri në Ministrinë e Arsimit, për inxhinierën e Haxhiut e Brikenën e Asimit, nuk mund të rrinim pa folur edhe për prokurorin e Sadikut, Ermonelën e Myftarit, Oltën e Hasanit, juristen e Tafilit, Jetën e Selfos, Denadën e Dines, Edin e Hajdërit, gazetaren Malaj, informaticienen dhe administratorin Isufi, për 13 niprit e mbesat me arsim të lartë të Hamza Kapllanit, etj. Për gjithë brezin e ri duhet folur e shkruar, sepse si specialistë të përgatitur e intelektualë të përkushtuar të së ardhmes edhe më lart do ngrenë emrin e bukur e të nderuar të vendlindjes së tyre. Ata, duke qenë krenarë për trojet e të parëve, për prindërit që sakrifikuan aq shumë për shkollimin e formimin e tyre, me zë edhe më të lartë e me ndjenjën e dhembshurisë së pakufishme përherë do t’i këndojnë Komarit të tyre të dashur.
