“Dielli maleve kur ra, /Lule Fejzo Arrëza!”

 

Një nga vendbanimet më të mëdha e më të dëgjuara në rrethin e Tepelenës është edhe fshati Arrëz. Shtrirë e mbështetur fort në krahët e shekullorit Trebeshinë, konsiderohet nga vendet më piktoreske, me monumente natyrore e gjurmë historike të përmasave të rralla. Ndodhet në veri-lindje të Tepelenës, në lartësinë 800 m mbi nivelin e detit, në 40° 23’ e 16’’ gjerësi gjeografike veriore dhe 20° 13’ e 25’’ gjatësi gjeografike lindore. Kufizohet me fshatrat e bashkive Këlcyrë, Tepelenë e Memaliaj. Ka qenë gjithmonë me krahinën e Buzit, aktualisht pjesë e Njësisë Administrative Luftinjë, Bashkia Memaliaj. Me emrin “Arrëz” gjejmë fshatra edhe në rrethet Berat, Elbasan e Devoll. “Në kohët shumë të vjetra nga katundi Arrëz-Tepelenë është larguar një familje  e madhe, e cila u vendos në Bilisht të Korçës. Në kujtim të vendlindjes së tyre, ata formuan fshatin me emrin Arrëz. Në verën e vitit 1964, kujton Xhevat Shehu, kur zhvillohej festivali i grupeve folklorike korçare, dallova një gup që këndonte ndryshe dhe që i ngjante këngës arrëzjote”. Fillimet e arrëzjotëve i gjejmë para 600 vjetësh. Të parët e tyre mendohet të kenë ardhur nga krahinat e Kosovës. Fillimisht vendosen në lindje të fshatit Kurtez, në vendin e quajtur Manastir. Me kalimin e viteve zhvendosen drejt lartësive për t’u mbrojtur nga luftërat. Këto lëvizje rreth Trebeshinës lidhen edhe me kullotat e shumta, me burimet ujore e vlerat klimaterike. Gjurmët e vendosjes së arrëzjotëve te Manastiri e më pas në Qafën e Arrzës i gjejmë në rrënojat e banesave, në vendet e shenjta dhe në toponimet e shumta. Lidhur me prejardhjen e emrit Arrëz evidentohen tri opsione. Varianti i parë: nga evolucioni fonetik i fjalës “ardhës”. Ky argument mbështetet në thëniet e banorëve, të cilët kanë pohuar se të parët e tyre janë ardhës nga Molla e Kuqe e Kosovës, të shpopulluar nga vërshimi serb. Varianti i dytë: nga fjala “arë”, një vendbanim me ara të vogla. Varianti i tretë: vend ku rritet shumë druri i arrës.

Fshati përshkohet nga rrugë të shumta, burime, kroje, qafa, maja, gryka, pllaja dhe bukuri tejet të rralla që natyra i ka falur. Rëndësi studimore  paraqesin toponimet e shumta: Qafa e Arrzës, e Lamajt, e Bregasit, e Vërtopit, e Kumbullave, Guri i Hënës, Zalli i kuq, Lisi mbret, Sheshi i mënave (sheshi i xhamisë apo i burrave), Kroi i Pushajve, Përroi i Priftajve, Çezma e lagjes Nikaj, Njerra, Gurra, Shkëmbi i Gurrës, Maja e Burimit, e Gërbotit, Maja e Madhe, Guri i Korbit etj. Toponimet, monumentet e natyrës e të kulturës janë të shumta, por dhurata më e madhe e kësaj hapësire magjepsëse mbetet mali i Trebeshinës.

Rezistencën e  admirueshme ndaj propagandës osmane e shprehin edhe emërtimet e lagjeve që ruhen sot e kësaj dite: Nikaj, Priftaj, Mesaj apo Manastiri si vendbanimi i parë i tyre. Procesi i islamizimit në Arrëz do të përfundonte gati dy shekuj me vonë nga pjesa tjetër e krahinës. Këto e  fakte të tjera dokumentohen edhe më mirë me të dhënat interesante që ndodhen në kishën e Beratit.

Si vende kulti të fesë kristiane përmenden rrënojat e kishës në Priftaj, në Rozeç e në Qafën e Arrzës, kurse në Nikaj janë gjetur qypa, qeramika e monedha të hershme. Si objekte kulti të fesë islame janë xhamia në qendër, mekamet ngritur në vitin 1712, etj. Drejtuesit e këtyre institucioneve: Sheh Hysen Arrëza, Dervish Haxhiu etj., krahas misionit fetar, një kontribut të rëndësishëm do të jepnin për mbrojtjen e atdheut. Institucionet fetare u bënë vatra të lëvizjeve për liri e pavarësi, çerdhe për edukimin patriotik të njerëzve dhe arsimimin e tyre.

Banorët e fshatit Arrëz i ka shoqëruar kurbeti. Me dhjetëra kanë emigruar në Amerikë, Turqi, Francë, Greqi, Itali, etj. Tek emigrantët e Amerikës dallohen anëtarët e Shoqërisë “Vatra”: çifti Hysen e Safo Goxharaj, Ali Myftar Goxharaj, Latif Arrëza, Hasan S. Arrëza, etj. Në tërë historinë e arrëzjotëve, largimet më të mëdha nga fshati do të ndodhnin pas viteve ‘90. Ato përfshijnë mbi 80% të popullsisë. Shumica  është vendosur  në Tiranë, Durrës e Tepelenë, kurse jashtë shtetit arrëzjotët më tepër i gjejmë në Greqi, Itali e deri në Amerikë.

Në fillim të shek. XX, Arrëza ka qenë e banuar prej më shumë se 37 fise. Mbi 113 familje ishin të vendosura në lagjet Nikaj, Mesaj, Priftaj, Lamaj dhe Bregas. Pas ndarjes në dy fshatra, tri lagjet e para (Nikaj, Mesaj e Priftaj) me rreth 70 shtëpi përbënin Arrzën e Madhe , kurse 2 të tjerat (Bregasi + Lamaj) Arrzën e Vogël. Fiset më kryesore ishin: Pushaj, Shehaj, Cekaj, Naçaj, Zylaj, Velaj, Konduraj (Duraj), Hoxhaj, Haxhaj, Profaj, Veizaj, Agaraj, Alinanaj, Xifaj, Çibukaj (Ruçaj), Goxharaj, Çapunaj, Çelaj, Ismailaj, Zekaj, Bakaj, Buxhelaj, Metaj, Tataj, etj.

Pjesëmarrja dhe kontributi i arrëzjotëve në ngjarjet historike ka qenë i fuqishëm. Trimat arrëzjotë gjatë kryengritjeve kundër reformave osmane u rreshtuan me Tafil Buzin, duke luftuar krah tij në të gjitha përpjekjet e bëra. Si udhëheqësa popullorë kundër pushtuesve osmanë e në luftra të tjera, Myftar Goxharaj do të evidentonte edhe Sulejman Goxharaj, Osman Velaj, Muharrem Çapunaj, Tare Hasimin, Jaup Zylaj. Kur kujtojmë luftërat botërore, na duket sikur epiqendra e tyre ishin Trebeshina, Shëndëllia e fshatrat rreth tyre. Vija e frontit në luftën italo-greke do të përshkonte Arrzën e rrethinat dhe saj. Mbi 30 arrëzjotë do të merrnin pjesë në Luftën e Vlorës, ndër të cilët veçojmë: Hodo Jaup Haxhaj, Latif Sadih Hoxha, Abedin Taro Pushi, Maze Ceno Bakaj, Brahim Xhemal Shehaj, Selfo Latif Shehaj, Hamza Xhafer Zyli, Cane Rushit Velaj, Asllan Hasan Duraj, Ali Ibrush Bakaj, Zenel Tare Pushi, Ceno Xhafer Zylaj, Hasim Zenel Duraj, Nexhip Bektash Çibukaj, Asllan Rushit Velaj, Ali Ceka, etj. Ishte Hodo Jaup Haxhaj ai që do t’i dorëzonte ultimatumin garnizonit italian në Tepelenë, ndërkohë që Sheh Hysen Arrëza do të  jepte një kontribut të çmuar si i zgjedhur në Komitetin e Mbrojtjes Kombëtare Tepelenë, i cili drejtohej nga Baba Ahmet Turani. Në Teqenë e Memaliajt më 9 dhjetor 1942 nga zona e Buzit për në këshillin e rrethit do të zgjidhej Haxhi Shehu, kurse në këshillin krahinor Dervish Xhafer Agaraj.

Në folklorin e zonës flitet për trimëritë e Petro Arrëzjotit, Hasan Agait, Asllan Kondurit, Ahmet Goxharaj, Qazim Xifaj, Taro Pushit, Hodo Haxhajt, Latif Sadikut, Çelo Arrzës etj.  Për këta e ngjarje të tjera jemi ndalur tek pjesa “Qafa e Kiçokut”, por periudha  ku arrëzjotët shkruan faqe lavdie mbetet epopeja e  LANÇ. Kontributi i tyre ishte i pakrahasueshëm me trevat e tjera. U inkuadruan në formacionet e ushtrisë çlirimtare mbi 70 partizanë. Vetëm nga Arrëza e Madhe do të derdhnin gjakun për lirinë e atdheut gjashtë partizanë. Gëzojnë statusin  “Dëshmor i Atdheut”: Avni Çapuni, Haxhi Shehaj, Laze Hoxha, Novruz Tataj, Sulo Bakaj e Xhemal Goxharaj.

Arrëzjotët duhen vlerësuar edhe për kontributin e dhënë në formimin e Batalionit “Baba Abaz”. Më 10 korrik 1943 celula e partisë për Tepelenën, në mbledhjen e saj të organizuar në fshatin Arrëz, do t’i kërkonte Komandës së Qarkut Gjirokastër lejen për krijimin e një Batalioni”. Edhe betejat e zhvilluara tek Rrapi i Dervenit, në Grykën e Mezhgoranit, në Qafën e Kiçokut, të Rozeçit, të Miricës apo luftimet e ashpra në mbrojtje të lagjes Bregas, në ditët e para të korrikut 1943, flasin për trimëritë e arrëzjotëve. Ishte korriku i vitit 1943, kur në Grykën e Mezhgoranit Çeta e Asim Zenelit luftonte e vetme përballë forcave italiane. Arrëzjotët, me ta marrë vesh, u ngritën, morën armët dhe arritën në momentin më kyç, kur italianët, duke qenë shumicë, po përparonin. Trimëria e djemve arrëzjotë u shfaq fuqishëm ndaj grekëve, italianëve e gjermanëve. Pushtuesit dogjën 49 shtëpi, u vranë e u lënduan me dhjetëra njerëz, si: Mustafa Çela, Seit e Rrapo Pushaj, Bajram e Gani Goxharaj, Xhevair, Lule e Merushe Zeneli, Rasim Çibuku, Selamet e Refo Zyli, Estref Hoxha, Zybe Hazizaj, Ramije, Reiz e Haki Velaj, Asllan e Hysni Lalaj.

Gjatë LANÇ në komandën e vendit ishin: Bilbil Çapuni, Ceno Velaj, Hasim Pushaj, Hajri Goxharaj, Islam Duraj, Jonuz e Qani Çibuku, Qemal Xifaj dhe Xhemal Goxharaj.7 Më 16 shtator 1942 formohet Këshilli Nacionalçlirimtar i përbërë nga : Ceno Rushiti, Latif Hoxha, Haxhi Shehu, Ziflo Goxharaj, Xhemal Zeka, Abedin Pushi dhe Tefik Zeneli. Çeta territoriale e fshatit me komandant Latif Sadik Hoxhën do të kryente aksione të fuqishme luftarake. Për kontribute në luftën partizane dhe në mbarëvajtjen e punëve në fshat janë dalluar edhe Haxhi Latif Shehu (Dervish Haxhiu), Sadik Estref Shehu, Dervish Xhafer Agaraj etj., por kur flasim për drejtuesit e pushtetit në vite, mirënjohja shkon në radhë të parë për Ahmet Goxharaj, Taro Pushi, Hysen Goxharaj, Tahir Xifaj, Zylfo e Ahmet Goxharaj, Abedin Taro, Latif Hoxha, Qani Çibuku, Xhelal Alishau, Selam Shehu, Abaz e Fatmira Duro, Neim Zeneli, Resul Pushi, Neshet Cibuku e deri tek kryepleqtë e pas vitit 1990 : Adil Hoxha, Elmaz e Shero Xifaj etj. Kanë statusin e të persekutuarit politik: Myrteza Karafil Goxharaj, Xhafer Dervish Agaraj, Xhelal Alishau, Nezir Alinani etj.

Familje të pasura në Arrëz konsiderohen ato të Abedin Pushit, Zenel Çibukut, Teme Goxharajt, Xhelal Ismailit, Çarçan Jaupit etj. Ky i fundit, qysh në vitin 1914,  kishte hapur dyqan në shërbim të banorëve, ndërsa fisi Ismaili arriti të kishte deri në 2000 kokë bagëti. Edhe pse kjo familje i dha luftës ndihma të pakursyera morale, materiale e njerëzore,  koha e ndëshkoi. Për asnjë çast nuk duhet harruar veprimtaria atdhetare e vëllezërve Kadri e Xhelal Ismaili, të cilët kanë kryer me shumë përgjegjësi detyra të larta, në teren e ushtri në shërbim të Atdheut. Xhelal Ismaili, partizan i Brigadës së VI Sulmuese, pas çlirimit do të ishte një nga oficerët e dëgjuar në Tiranë, Bilisht e Korçë. Edhe vëllai i tij, Kadri Ismaili, do të arrinte deri sekretar i parë në Pukë, por pas viteve  ‘60 gjithë familja Alishau u ndëshkua rëndë për shkak të pasurisë e mosfutjes në kooperativë.

 

Lidhur me popullsinë, statistikat evidentojnë këto të dhëna:

 

Vitet 1916 1927 1945 1969 1979 1989 1995 2000 2017
Familje   90   95 105   103  115   120   124     73    27
Popullsia 667 536 630   500   614   598   462   341  110

 

Nga të dhënat e vitit 1995 Arrëza e Madhe rezulton të ketë mbi 165 ha tokë bujqësore, nga të cilat; arë 108 ha, pemishte 33 ha, vreshta 12 ha dhe kullota e pyje qindra ha.

Arrëza  ka patur shkollë turke, e cila vlerësohet edhe për kontributet në përgatitjen e terrenit për mësimin e shqipes. Përpjekjet për shkollën shqipe datojnë para vitit 1916, por zyrtarisht  shkolla hapet në vjeshtën e vitit 1918 me mësues Fati Malëshovën dhe më pas djemtë e Mezhgoranit Azis e Reshat Mullai, djali i Arrzës Hysen Goxharaj, etj. Në historikun e arsimit Tepelenës lexojmë se me vendimin e datës 28.09.1928, në shkollën fillore Arrëz riemërohet mësues Hysen Goxharaj me pagë mujore 80 franga ari, ndërsa me vendimin e datës 31.01.1931 emërohet edhe mësuesi Reshat Mullai nga Mezhgorani me pagë mujore 80 franga ari.

Fëmijët e Arrzës së Madhe 7-vjeçaren e vijuan  fillimisht në Maricaj, me drejtor Niko Panon. Pas vitit 1968 edhe arrëzjotët do të kishin shkollën 7-vjeçare, me drejtor Eqerem Lala. Sipas kujtimeve të ish drejtorit Lala, në vitin 1968 mësues në Arrëz të Madhe ishin Thoma Loli, Ziso Vangjeli, Izet Pushi, Marko Stefa, Fadil Hoxha dhe Kapo Kalemi. Shkolla 7-vjeçare ishte vendosur tek shtëpitë e Dervish Xhaferit. Mësues e drejtues të shumtë do të kontribuonin për arsimimin e arrëzjotëve, nga të cilët veçojmë drejtorët:  Eqerem Lala,Thanas Rrapi, Izet Pushi, Ladi Koçi, Kristofor Puraveli, Ceno Zyli, Zylfo Goxhara, Dashnor Çibuku, Lulo Vreka, Petrit Sulejmani, Irena Jaupi etj., si dhe mësuesit: Meleqe Sako, Jani Maluqi, Iliaz Dana, Fuat Zaçe, Simon Pali, Sotir Kapsalidhi, Afrim Lula, Lulëzime Dogani, Baki Myftari, Vangjel Kallo, Jorgo Noni, Abaz Arapi, Nazmi Ajazi, Jani Margariti, Selo Dropulli, Mynyr dhe Engjëllushe Lamka, Merjem Manaj, Sali Shehu, Elpiza Partali, Eleni Zyli, Pëllumb e Pranvera Zeneli, Fete Goxharaj, Beqir Zaimi, Islam Gjyli, Petrit Guci, Refie Myftaraj, Rebani  Hoxha, Përparim Kordha etj. Edhe sektori i shëndetësisë ka pasur zhvillime e arritje, ku padyshim punonjësit e shëndetësisë Idajet Lataj, Fatmira Dura, Refie Velaj, Semine Kalemaj, Nadire e Razie Shehu kanë dhënë kontributet e tyre.

Në radhët e intelektualëve arrëzjotë gjenden me dhjetëra që kanë manifestuar vlera e cilësi në shërbimin ndaj njerëzve, ndër të cilët do të veçonim: mjekun e talentuar Agron Çibuku, profesoreshën Republika Çulli, mësuesit veteranë Izet Pushi e Sazan Çibuku etj. Njerëzit e Trebeshinës  kanë dhënë kontribute e mbartin vlera edhe si bujq e blegtorë shembullorë, si minatorë të palodhur. Në veprat ndërtuese do të derdhnin djersën e tyre, duke filluar nga inxhinier Xhafer Agaraj e Besnik Velaj dhe specialistët Novruz e Pëllumb Duro, Bedri Hoxha, etj.

Në vitin 1957 krijohet kooperativa bujqësore me kryetar Qani Ali Çibuku e Esat Latif Hoxhën. Me kalimin e viteve, Arrëza e Madhe bashkohet me Maricajn. Edhe në ekonominë e bashkuar  puna e njerëzve, kuadrove e specialistëve arrëzjotë do të vlerësohej gjatë tërë  periudhës 30-vjeçare. Disa prej tyre do të dallonin si organizatorë të zotë e specialistë  të përkushtuar, si: Hiqmet Goxharaj, Gjolek Velaj, Zaçe Çela, etj., por për cilësitë e Bekim Hoxhës, si drejtues i papërtuar në mbarëvajtjen e punëve  apo për shkathtësitë e intuitën e lindur në sipërmarrjet private të pas viteve ‘90, duhet folur e shkruar edhe më shumë.  Ai do të mbetej i pakonkurueshëm me çdo biznesmen të kohëve të vështira që ekonomia e tregut kaloi në vitet e një tranzicioni të stërgjatur. Të tilla vlerësime meriton edhe kryetarja e pushtetit në ekonominë e Maricaj, z. Fatmira Duro. Kjo grua dinjitoze për kohën do të shquhej jo vetëm si drejtuese e zonja, por edhe për një komunikim mbresëlënës me njerëzit. Vajza arrëzjote do të ecte në gjurmët e nënave e grave trimëresha të Trebeshinës, si: Safo dhe Erpare Goxharaj, Sanie e Barie Baka, Resmie Zyli etj. Në vitet  ‘80, djali i Arrzës, Medin Duro do t’i ngrinte edhe më lart vlerat e arrëzjotëve. Ai, si drejtor i minierës dhe deputet i Kuvendit të Shqipërisë, shpalosi cilësi të admirueshme jo vetëm për krahinën e rrethin, por  edhe më  gjerë. Arrëzjotët me detyra drejtuese do të zinin vendin e parë në radhët e ushtrisë, në aparatetet e partisë e të pushtetit në rreth, në mjekësi etj. Ata kanë ndjekur njëri-tjetrin edhe pas viteve  ‘80 në qytetin e Tepelenës, si: Besnik Velaj, Altin Çibuku, Engjëll Alinani, Sazan Çibuku, Vladimir e Gëzim Shehu, Petrit Sulejmani (Velaj), etj.

Historia e Arrzës është e madhe, e pasur dhe e bukur. Atë secili e vlerëson dhe e nderon në vite jubilare e në ditët e zakonshme. Këtë vend të veçantë e kujtojnë me mirënjohje dhe e përshëndesin me përzemërsi jo vetëm bijtë e bijat që u lindën e u rritën mes dy maleve shekullorë, por edhe të tjerë: kur përpara kanë paguren me ujë me mbishkrimin “Trebeshina”, kur pinë një filxhan çaj të malit me të njëjtin emër, kur dëgjojnë bilbilin e Jugut, Ylli Bakën e talentuar, kur shohin në media veprimtaritë e shkëlqyera atdhetare të çiftit Zylo në Amerikë apo  të çifteve model të  Medin Duroa e Agron Çibukut në Tiranë, etj.

Kur bisedon me arrëzjotët në Tepelenë, më pasionantët për të mbajtur gjallë vlerat e vendlindjes  shfaqen Ali e Bashkim Çibuku e Besnik Hoxha, nipi i trimit Latif Sadiku. Ata,  duke folur më mirënjohje  për figurat e nderuara të fshatit të tyre, nuk harrojnë të veçojnë edhe disa që kanë kryer detyra të rëndësishme shtetërore, si: Avni, Rustem e Fejzi Pushi, Çelo Arrëza, Ago Dine, Arshi Latifi, Dervish e Xhafer Agaraj, Reiz e Haxhi Shehu, Qani, Muharrem e Baki Çibuku, Sadik Goxharaj, Izet e Besnik Velaj, Kadri Alisha Ismailaj, Myftar Ali Goxharaj, Myftar Tahir Hoxha etj. Në vlerat arrëzjote një vend të merituar zënë edhe ushtarakët: Xhemal, Gentian, Myftar e Qazim Zeka, Musa e Ilmi Xifaj, Idajet, Fadil e Elmaz Goxharaj, Dilaver, Elmaz,Ylli, Qemal, Gani e Tajar Zyli, Jonuz,Vesel, Kujtim, Luan, Agron, Lefter e Arjan Çibuku, Beqir, Sulo, Myzafer e Gani Zeneli, Bedri e Qemal Baka,  Kujtim, Avdul, Sadik e Nazif Shehu, Islam e Durim Agaraj, Dine Çela, Isuf e Barjam Capuni, Hajro Hoxha, Avni, Fuat, Karafil, Muharrem e Hysen Pushi, Izet e Taip Vela, etj.

Me mirënjohje kujtohet grupi i këngës arrëzjote me Sabri Velaj, Ismet e Tefik Alinanaj, Meto Goxharaj, Kareman e Vero Cibukaj, Dervish Agaraj, Kadri Shehun etj. Grupi polifonik i Arrzës,  me këngët kushtuar Fejzo Arrzës, Tafil Buzit, Skëndo Tare kordhëtarit etj., mbetet më i veçanti për mënyrën e të kënduarit e të interpretuarit. Arrëza e Madhe, nënvizon z. Fatmir Meçe, një fshat i skajshëm malor i Tepelenës, edhe pse i ndodhur në trekëndëshin Tepelenë, Berat, Përmet, nga pikëpamja etnomuzikore nuk u ndikua, por ka stilin e saj mjaft të veçantë, që emërtohet “Kënga arrëzjote”. Edhe Resul Pushi,  duke kujtuar me nostalgji shtëpinë e kulturës, shkruan: “Ajo kishte një hapësirë të bollshme, me skenë modeste, me podium, muze etj. Kishte edhe orkestër, fillimisht ishte Karafil Shehu me fizarmonikë , pastaj mësues Jorgo Noni nga Gjirokastra dhe vitet e fundit mjeshtri i vërtetë i muzikës, djali i Buzit, Jonuz Ajazi. Ky institucion e gjallëroi jetën kulturore në fshat, atje mblidhej rinia e zhvilloheshin aktivitetet artistike”.

Ajo që bie më tepër në sy tek arrëzjotët është  krenaria e veçantë që ata shfaqin për vendlindjen dhe historinë e saj. “Të flasësh për arrëzjotët, shkruhet në dokumentet arkivore të Muzeut Tepelenë, është pak kur konkludon se ata i përkasin një komuniteti të qëndrueshëm e  stoik, si vetë mali i tyre shekullor. Heroizmat në luftë dhe kontributet në rindërtimin e atdheut mbeten dëshmia më e plotë për t’i etiketuar disa prej tyre dragonj e martirë”. Sinonimi i burrërisë e i trimërisë arrëzjote është e mbetet kapedani Fejzo Arrëza. Një nga komandantët e vullnetarëve që ndiqnin andartët, shkruhet në librin “Tepelena” të Xhevat Shehut,  ka qenë edhe Fejzo Xhafo Veizaj nga Arrëza. Për trimëritë e mëdha që ai ka treguar, populli vazhdon t’i këndojë edhe sot:  “. . . Ktheu Fejzo, mos u vra, /të kam djalë më bën hata!/-Lermë, nënë, mos më nga, /se do vete nëpër ta, /t’i shkel, t’i bëj lakëra”.

Emri i Fejzo Arrzës është kthyer në kult. Te jeta e bëmat e kapedanit arrëzjotët gjejnë vetveten, gjejnë simbolikën e shpirtit të tyre luftarak e liridashës. Këngën kushtuar kapedanit,  që konsiderohet si diçka  e shenjtë e si bashi i këngëve, arrëzjotët nuk të lejojnë ta këndosh dosido. Atë, thonë pasardhësit e Fejzo Arrzës,  ose këndoje siç duhet ose lëre fare! Kjo ka bërë që fjalët e pavdekshme, “Dielli maleve kur ra. /Lule Fejzo Arrëza”, të kenë patur fatin të këndohen vetëm nga një grup i caktuar njerëzish”.